Shenimi i Fundit - padukshem
Shėnimet shikohen vetėm nga Anėtarėt.
Lajmet

mergimtari.ch LajmeKomente Dhe AnalizaFlamuri nė dorėn e Ramės, do tė ishte futur nė sepete   
Flamuri nė dorėn e Ramės, do tė ishte futur nė sepete

foto


 


Janë ditë mjaft interesante këto të sotmet, sepse jemi thuajse të gjithë të mbarsur me një sens historie, që na shtyn shumë shpesh të meditojmë mbi të kaluarën tonë, mbi mësimet që kemi nxjerrë, mbi atë çka kemi kaluar dhe mbi atë çka do të duhet të bëjmë në të ardhmen. Pikërisht për këtë arsye do të doja të filloja fjalën time me një moment të rëndësishëm nga historiografia jonë. Me momentin e gjetjes së flamurit që do të ngrihej në Vlorë. Deri më tani, historiografia komuniste na mësonte se ishte një grua, Marigoja, ajo që qëndisi flamurin. Në kujtimet e Eqerem bej Vlorës na jepet një tregim krejt tjetër i së vërtetës. Është flamuri që Eqerem bej Vlora e merr nga njëri prej pasardhësve të Skënderbeut, Alehandro Kastrioti dhe që Ismail Qemali, kur nuk po gjente më flamuj, se në atë kohë flamujt kishin ikur prej shumë kohësh nga shtëpitë e vlonjatëve dhe nga një pjesë e madhe e shtëpive të shqiptarëve, merr flamurin që Eqerem bej Vlora kishte dhe që e mbante në një kornizë sipër kokës së krevatit të tij. E them këtë ngjarje jo thjesht për të treguar një moment historie, por për t'ju kujtuar se Eqerem bej Vlora ishte një prej atyre bejlerëve të Vlorës, qe përgatitur për të qenë ai vetë protagonisti i ngritjes së flamurit dhe i shpalljes së Pavarësisë. Megjithatë, kur e kuptoi se nuk mund të ishte ai, i dha Ismail beut simbolin e vetëm që kishte mbetur, atë të flamurit, mbi bazën e kopjes së të cilit më vonë u bënë kopjet e tjera të flamurit. Ç'lidhje ka kjo me momentin e sotëm? Ka një lidhje fort të thellë. Unë besoj se, sikur flamuri apo një simbol tjetër të kish qenë në dorën e Edi Ramës, do të ishte futur thellë nëpër sepete, sepse nëse nuk do të ishte ai që do të ngrinte flamurin, atëherë historia do të ishte ndryshe. Nëse Dom Nikollë Kaçorri do të kishte pasur mendjen tuaj, do të thoshte se flamuri duhet të ngrihet në Veri dhe s'duhet të ishte askush tjetër përveç veriut që duhet të mbante simbolin e kombit. Janë burra të mëdhenj, që kanë pasur mundësi të heqin dorë nga egoizmi i tyre, nga smira, nga momentet e tyre të forta të ndryshimit të karrierës, nga momentet e tyre të futjes në histori, vetëm e vetëm për t'i dhënë një shans historisë moderne të këtij kombi. Më së fundi, javën e kaluar u bë një akt i rëndësishëm. U sollën eshtrat e Mbretit Zog në Shqipëri. Edhe atë ju, si gjithmonë e bojkotuat. Ende në mendjen tuaj Zogu është mizor, ndërkohë për ne është reformatori i shtetit shqiptar. Mos harroni që ka edhe një moment të rëndësishëm në historinë e Mbretit Zog me Shqipërinë. Është shtypja e kryengritjes së Fierit. Sot nuk do të ketë asnjë kryengritje të ndonjë kandidati për kryetar të Qarkut të Fierit që do të mund të ndryshojë historinë tuaj dhe t'ju sjellë në pushtet. E kuptoj që nuk mund të heqim dot paralele midis nesh dhe asaj që ka bërë Mbreti Zog, por reformatorët qëndrojnë nga njëri krahë dhe ata, të cilët mundohen ta mbajnë historinë të mbërthyer në prapambetje janë nga krahu tjetër. Historia ka logjikën e saj, e cila shumë herë nuk përputhet me logjikën tonë, por pas 100-vjetësh kur të lexohet kjo që ka ndodhur sot në Parlament, unë nuk di nëse do të ketë forcë të gjallë mbi dhe apo nën dhe që do të mund të shpjegojë atë që i keni bërë shqiptarëve në këtë 100-vjetor. Sigurisht, ju penguat projektin europian në këtë 100-vjetor. I vetmi që do të mund ta rendiste Shqipërinë në një radhë me kombet e tjera, do të mund ta radhiste në radhën e kombeve të progresuar, në radhën e një zhvillimi ekonomik, të një fuqizimi të institucioneve dhe më së fundi, nuk do ta linte prapa kombeve mike apo armike që na rrethojnë shpesh. Zëdhënësi i Komisionit Europian foli dhe tha: "Përsa kohë nuk miratohen të tria ligjet nuk jeni ende gati për në Europë". Në fakt, ne ende nuk jemi gati, sepse gjysma jonë që përfaqësoni ju, ende nuk e dëshiron progresin, nuk dëshiron integrimin e Shqipërisë, ende e ka lënë progresin të varur te xhaketa e Vangjel Ndrekos, një qarku, që pas 100-vjetësh mund edhe të ekzistojë, por askush nuk do të kuptojë se për çfarë bëhet fjalë. Ju keni ftuar njerëzit që për 28 Nëntor të jenë në Vlorë dhe të ngrenë flamurin lart, sepse ai është momenti juaj simbol, ai është momenti juaj i krenarisë kombëtare. Shkoni zotërinj dhe shpjegojuani vlonjatëve, shpjegojuani të gjithë shqiptarëve se pse nuk i votuat tri ligjet e integrimit, se pse e privuat edhe një herë Shqipërinë nga historia e saj e progresit, nga historia e saj e krenarisë. Pastaj, kur të bëhet fjalë për të ngritur flamurin, ngrijeni, por ngrijeni në gjysmë shtizë!




Nga Albin, Premte, 23 Nėntor 2012 07:22, Komentet(0)
Komentet


MKPNews ©2003-2008 mkportal.it
 


MKPortal ©2003-2008 mkportal.it
Faqe e krijuar nė 0.12091 sekonda me 39 veprime